Prokuroria e Suedisë nuk ka pranuar që të ndajë informacione lidhur me rastin e vrasjes së 30-vjeçares me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, Naim Murseli, si i dyshuar për organizimin e vrasjes, “për shkak të rregullave të fshehtësisë”. Liridona u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në një fshat të Prishtinës. Deri tani për rastin janë arrestuar tre të dyshuar.
Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës u krye një krim i rëndë. Para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj.
Atë natë, rasti u paraqit si grabitje me pasoja vrasjeje. Por, dy ditë më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin, poashtu me shtetësi suedeze.
Murseli dyshohet se e porisiti vrasjen e Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.
Gazeta Express ka pyetur autoritetet suedeze lidhur me informacionet që kanë deri tash rreth këtij rasti, nëse do të përfshihen në hetime dhe se a do të bëjnë kërkesë për ekstradimin e Murselit dhe se çfarë do të ndodhë me dy fëmijët e çiftit. Nga Prokuroria e Suedisë kanë thënë se këtyre pyetjeve nuk mund t’u përgjigjen për shkak të rregullave të fshehtësisë.
“Ju lutemi të jeni të informuar se pyetjeve si këto, si parim i përgjithshëm, nuk mund t’u përgjigjeni për shkak të rregullave të fshehtësisë”, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë, një ditë pas vrasjes së Liridonës, Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë, në një përgjigje për Express, kishte thënë se janë në dijeni se një grua rreth të 30-ave ka vdekur, por se informacione të tjera s’mund të ndajnë për shkak të konfidencialitetit.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në dijeni se një grua rreth të 30-ave, e cila ishte banore e Götaland, ka vdekur në Kosovë më 29 nëntor. Të afërmit e saj janë njoftuar. Për arsye të konfidencialitetit konsullor, ne nuk kemi ndonjë informacion shtesë për të dhënë për këtë rast konkret. Të gjitha pyetjet në lidhje me çdo hetim policor ia drejtojmë Autoritetit Policor Suedez ose policisë në vendin në fjalë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.
Si ndodhi rasti?
Murseli, Plava dhe Kokalla ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.
Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.
Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.
Kishin aplikuar për divorc në vitin 2019, por çështja s’kishte marrë epilog
Në një dokument që ka siguruar Gazeta Express konfirmohet se Naimi dhe Liridona kishin bërë një kërkesë të përbashkët për divorc përpara autoriteteve suedeze në janar të vitit 2019.
Megjithatë divorci s’kishte ndodhur, meqë brenda periudhës gjashtë muaj deri në një vit, të asaj që cilësohet periudhë e konsiderimit apo shqyrtimit, asnjëri s’kishin shkuar për të konfirmuar se duan divorcin.
Gjykata e Qarkut të qytetit Uddevalla më 24 shkurt të vitit 2020 kishte marrë vendim për të pushuar çështjen nga procedimi i mëtejshëm.
“Më 31 janar 2019, Liridone Murseli dhe Naim Murseli kanë dorëzuar një deklaratë të përbashkët divorci.Gjykata e Qarkut vendosi që divorcit t’i paraprihet një periudhë shqyrtimi prej të paktën gjashtë muajsh dhe maksimumi një vit. Në lidhje me vendimin, gjykata e rrethit njoftoi palët se mund të kërkonin me shkrim ndarjen brenda afatit të caktuar. Asnjë kërkesë për vendim për divorc nuk ka mbërritur në gjykatën e rrethit.Çështja e ndarjes ka rënë. Gjykata e Qarkut e pushon çështjen nga procedimi i mëtejshëm”, thuhet në vendimin që ka parë Gazeta Express.
Si u tentua të fshehej rasti?
Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.
“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.Ekspres.