Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, tha se përkundër ndryshimeve politika që kanë ndodhur së fundi në vendin e tij, Mali i Zi nuk do të ndryshojë qëndrimin zyrtar karshi Kosovës.
“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politike, por ato nuk do të ndërrojnë kurrfarë politike ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogarit në Malin e Zi për aktivitetet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Ne jemi më së të gatshëm të përkrahim me atë sa janë mundësitë tonë”, siguroi Abazoviq.
Kjo deklaratë e tij vjen pas zgjedhjes së Jakov Milatoviq president i ri i Malit të Zi, e për të cilin u raportua se mbështet politika pro ruse.
Abazoviq tha se është më se i bindur që Kosova dhe Mali i Zi janë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.
“Fokusi jonë edhe sot në takime ka qenë në atë që ishte standardi jetësor për popullin edhe të Kosovës edhe të Malit të Zi. Mendoj se jemi në një rrugë të duhur që të zhvillojmë disa projekte që unë i kisha quajtur për Malin e Zi historike e që kanë të bëjnë me infrastrukturën”.
Abazoviq tha se në takimin me Kurtin u fol për mundësitë e krijimit të një qasje më të lehtë për qytetarët e vendeve fqinje.
“Atë që ishte ideja jonë është që të krijojmë qasje shumë të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse e krijojmë një akses më të lehtë atëherë edhe shkëmbimi i mallrave dhe popullit, bizneseve ka me qenë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë edhe në të ardhmen që të krijojmë atmosferë të mirë rajonale ku dy shtetet duhet t’i japin shembull”.
Abazoviq tha se të ardhmen e sheh në BE edhe për Malin e Zi edhe për Kosovën.
“Duhet të kryejmë shumë detyra që derisa dy shtetet të bëhen anëtare”.
Në fund, Abazoviq e ftoi kryeministrin Kurti në Podgoricë.