Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nëse partia fituese në zgjedhje nuk e përdor të drejtën kushtetuese për konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve, atëherë kjo e drejtë duhet t’i kalojë një subjekti tjetër politik.
“Sikur në rastin e formimit të Qeverisë, nëse subjekti i parë dështon ta përmbushë detyrimin përbrenda afatit kushtetues, është e arsyeshme që mundësinë ta ketë dikush tjetër. Në këtë rast, partia e parë e humb të drejtën”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se krijimi i institucioneve vjen vetëm përmes marrëveshjeve politike.
“Institucionet ndërtohen në demokraci me marrëveshje mes partive. Nëse subjekti i parë refuzon marrëveshjen dhe përdor një proces të votimit që bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, atëherë përgjegjësia i kalon dikujt tjetër. 30 ditët janë shpenzuar tashmë dhe tani mbetet në dorën e Kushtetueses të vendosë si të veprohet më tej”, shtoi ai.
Abdixhiku tha se propozimi i LDK-së është një mendim konstruktiv për të dalë nga situata aktuale, duke theksuar se vendi nuk mund të mbetet peng i një partie që refuzon të ndërtojë institucione.