Qeveria e Kosovës sot ka bërë të ditur se ka marrë vendim për rritje të pagave në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025 dhe 110 nga korriku.
Nga kjo rritje do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilëve do t’u rriten pagat për 18 deri 20 për qind.
E pas këtij njoftimi të Qeverisë, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku në një postim në Facebook ka shkruar se në qeverisjen e tij koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro.
“Po e përsëris, që në javën e parë të qeverisjes sime, koeficienti i pagave do të bëhet 150 euro! Ndryshimi po vjen!”, ka shkruar Abdixhiku.
Njoftimi për rritjen e pagave në sektorin publik, vjen vetëm rreth dy muaj pasi Qeveria rriti për 20 për qind pensionet që financohen nga shteti.
Rritja e pensioneve hyri në fuqi në tetor.