Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai ka thënë se është sistemi i drejtësisë qe merret me këtë rast por kjo çështje sipas tij ka fakte.
“Ne urojmë e shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi, por ky është fakt i opozitës jo i çështjes. Ne e dijmë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK dhe ka pasur shumë keqpërdorime por asnjëherë nuk është marrë prokuroria me to”, ka thënë Kurti.
Ai tha se udhëheqja aktuale e KEK ka deponuar me dhjetëra fakte e dëshmi materiale për keqpërdorimet qe i ka gjetur aty por zelli i prokurorisë për tu marrë me faktet dhe keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero.
Kurti duke thënë se nuk ka dyshim në prokurorinë e shtetit thotë se prokurori Blerim Isufi është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish shefit të AKP, Dino Hasanaj e kategorizoi në vetëvrasje ndërsa vdekjen e zyrtarit të qeverisë, Hambi Sopës nga vetëvrasje e konsideroi në vrasje.