Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka akuzuar qeverinë dhe kompanitë rajonale të ujësjellësve për mungesën e ujit të pijshëm që ka prekur shumë zona të vendit gjatë pjesës më të madhe të verës.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se komunat janë duke u përballur me pakënaqësi të shumta nga qytetarët, por sipas tij, përgjegjësia ligjore për furnizimin me ujë nuk u takon atyre.
“Është e padrejtë që komunat të fajësohen për mungesën e ujit të pijes, kurse përgjegjësia ligjore i takon kompanive rajonale dhe qeverisë. Komunat kanë bërë investime në rrjet, por pa investime qendrore në burime të reja dhe digë akumuluese nuk mund të ketë përmirësim të situatës,” tha Ibrahimi për IndeksOnline.
Sipas tij, komunat kanë kompetencë vetëm për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit, ndërsa procesi i furnizimit dhe mirëmbajtjes së shërbimit është nën menaxhimin e kompanive rajonale të ujësjellësve (KRU) dhe mbikëqyrjen e qeverisë qendrore.
“Është shqetësuese që nuk ka investime serioze në gjetjen e burimeve të reja të ujit të pijes dhe në ndërtimin e digave akumuluese. Pa projekte madhore në këtë drejtim, nuk do të mund të ketë përmirësim të situatës,” shtoi ai.
Kriza e ujit në disa rajone të Kosovës ka nxitur debate mbi përgjegjësinë institucionale dhe nevojën për investime afatgjata për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm.