Avokati Arianit Koci, përfaqësues i familjes Hajrizi gjendet në Serbi me qëllim që të tërheq trupin e pajetë të Faton Hajrizit.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka treguar se si e kaloi ditën e enjte, ndërkaq njoftoi se është duke pritur thirrjen nga Prokuroria e Beogradit.
Koci po ashtu theksoi se çështja e kthimit të trupit të Faton Hajrizit është çështje kohe dhe procedurash.
“Gjatë ditës, e pres thirrjen prej prokurorisë në Beograd. Çështja e kthimit të trupit të Fatonit, e ka marrë kahjen e vet. Do të kthehet. Vetëm është çështje kohe dhe procedurash”, ka shkruar Koci.
Ai po ashtu tregoi se si e mbajtën në stacion policor dhe e mori në pyetje shoku i policit të vrarë.
“‘Në moment më erdhi shumë rëndë kur të pashë. ‘E kam pasur shok të mirë policin e vrarë. Ardhjen tënde e cilësova si provokim’, më tha hetuesi pasi që e filluam zyrtarisht takimin.
‘Po e përsëris: më befasoi guximi i yt’.
Tensioni filloi me rënë. E mbaja distancën në bisedë, me sjellje të mira dhe profesionale.
‘Pjesa tjetër e punës, duhet të kryhet në Beograd’ – më tha oficeri, pas disa orësh.
Më përcjelli deri te vetura”, ka shkruar Koci në Facebook.