Axha i Ardit Zymerit 19 vjeçar, i vrarë mbrëmë në Vushtrri, Nysret Zymeri, ka deklaruar se nuk e di se si ka ndodhur rasti.
Ai ka thënë se familja nuk ka pasur asnjë të keqe me askënd.
Po ashtu, Zymeri ka thënë se për rastin familja është informuar mbrëmë dhe se sipas tij dorasin e as familjen e tij nuk e njohin ende.
“Arditi ka qenë djali i vëllaut. Informatë zyrtare nuk kemi deri më tani. Nuk e dimë se si ka ndodhur, të keqe nuk kemi pasur me askënd. Nuk kemi pasur me njeri të gjallë asnjë fjalë të keqe, ne nuk e kemi pritur, e kemi ditur që e kemi një armik, por këndej nuk kemi pritur asgjë. Kjo na ka ndodhur, informatën e kemi marrë mbrëmë, nuk e kemi njohur dorasin, as tani nuk e njohim. Janë edhe tre fëmijë, një vajzë edhe dy djem”, ka thënë ai për ekonomiaonline.
Ndryshe, mbrëmjen e së dielës një 19 vjeçar mbeti i vdekur nga arma e zjarrit rreth orës 20:38 në Vushtrri, ndërsa i dyshuari është arrestuar.
Sipas prokurorisë i dyshuari për vrasjen e 19 vjeçarit ka pranuar fajësinë gjatë marrjes së deklaratës së tij.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, tha se me vendim të prokurorit i pandehuri gjendet në ndalim 48 orësh.
“Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i pandehuri e ka pranuar fajësinë për vrasjen”, ka thënë Preteni.
Tutje ai tha se në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. /Telegrafi/