Bajrami: LVV po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështime të njëpasnjëshme dhe për, siç e quajti ajo, rrezikim të rendit kushtetues.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bajrami ka theksuar se ministrja në detyrë Albulena Haxhiu ka dështuar gjashtë herë për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, ndërsa LVV-ja ka dështuar në 34 tentativa për të formuar komisionin për votim të fshehtë.
“Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se deputetët janë të lirë të votojnë sipas vullnetit të tyre e jo sipas direktivave të Albin Kurtit,” shkruan Bajrami, duke shtuar se përmes refuzimit të vazhdueshëm të deputetëve për të formuar komisionin për votim të fshehtë, është bërë e qartë kundërshtimi ndaj zgjedhjes së Haxhiut në krye të Kuvendit.
Deputetja e LDK-së paralajmëron se vazhdimi i kësaj qasjeje nga Vetëvendosje përbën një kërcënim serioz për sistemin demokratik të vendit.
“E gjithë kjo qasje po e çon vendin drejt përmbysjes së rendit kushtetues, dhe kur kjo të ndodhë, pasojat do të jenë shumë më të rënda për të gjithë,” shkruan ajo, duke theksuar se përgjegjësia për situatën bie plotësisht mbi Vetëvendosjen.
Ky reagim i Bajramit vjen në një kohë kur kriza institucionale ka thelluar ndasitë politike në vend, me procesin e zgjedhjes së udhëheqjes së Kuvendit që mbetet i bllokuar për javë të tëra.