Kampioni i Kosovës, Ballkani, nuk ka arritur të shënojë fitore në debutimin e saj në garat evropiane, pasi të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka barazuar me skuadrën lituaneze, Zhalgiris, në ndeshjen e rrethit të parë të Ligës së Kampionëve, me rezultat 1:1.
Ndeshja në pjesën më të madhe u zhvillua nën rrebeshin e shiut, gjëe cila edhe ia vështirësoi dukshëm punët portokallezinjve të Suharekës.
Ballkani e nisi shumë mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 15-të, me golin e Nazmi Gripshit, me gjuajtja nga distanca. Edhe pas këtij goli skuadra e drejtuar nga Ilir Daja krijoi mundësi të mira shënimi, por nuk arriti t’i konkretizojë.
Ndërkaq, mysafirët në rastin e vetëm para portës së Stivi Frashërit arritën të shënojnë gol. Ishte minuta e 25-të kur Oliver Buff shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit nga këndorja.
Edhe në pjesën e dytë Ballkani u angazhua maksimalisht, por përkundër rasteve të krijuara nuk ia doli të gjejë golin e fitores. Tani gjithçka mbetet të vendoset në ndeshjen e kthimit në Vilnius më 12 korrik.