Java e 12-të në elitën e futbollit kosovar përmbyllet ditën e sotme me dy takimet e fundit në program.
Ballkani, kampioni në fuqi i Kosovës luan para tifozëve të vet në Suharekë ku i bën nikoqir Trepçës ’89.
“Portokallezinjtë” konsiderohen favorit për të dalë me tri pikë nga ky duel, me 89-shin që do të udhëtojë për befasi në Suharekë.
Ballkani ka 22 pikë në pozitën e dytë, ndërkohë “Minatorët” kanë 10 pikë dhe ndodhen në vendin e tetë.
Ballkani, me tri ndeshje më pak ka pesë pikë më pak se Drita e vendit të parë. Rast i mirë, që t’i afrohet në vetëm dy pikë, kur dihet se pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve mund ta rrëmbej kreun me plus 4 pikë, e gjitha varet në këmbët e yjeve suharekas.
Në takimin tjetër, Gjilani e pret skuadrën e Drenicës në stadiumin me bari sintetik.
“Kuqebardhët” janë në pozitën e katërt me 18 pikë, ndërsa Drenica ka tubuar 12 pikë dhe zë vendin e gjashtë.
Dy përballjet në Suharekë dhe Gjilan nisin nga ora 13:00.