Kuvendi Komunal i Prishtinës me shumicë votash ka miratuar ndryshim-plotësimin e rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës barnatoreve në kryeqytet. Vendimi është mirëpritur nga farmacistët e vet qytetarët, mirëpo është kundërshtuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Komuna e Prishtinës ditë më parë ia dha dritën e gjelbër ndryshim-plotësimit të rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së organizatave të biznesit në kryeqytet.
Me këtë rast nga muaji tetor do të ndryshojë edhe orari i punës së së barnatoreve në kryeqytet.
Në dhjetë barnatore të Kryqytetit do të ketë kujdestari me orar të plotë (24 orë) nga ora 07:00 deri në 07:00.
Kurse orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 barnatore në gjithë Kryeqytetin.
Për ata që nuk respektojnë këtë orar do të pasojnë gjoba nga 300 deri në 1000 Euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 Euro personi juridik.
Ky vendim është mirëpritur nga farmacistët.
“Unë si farmaciste mendoj që përfituesi më i madh është pacienti, i cili në çdo kohë, kurdo që i nevojitet një product farmaceutik do të gjej farmaci hapur në Prishtinë. Në qoftë se në orët e hershme të mëngjesit do i duhet një product, ai do ta ketë listën se cilat farmacia atë natë janë hapur dhe janë duke mbajtur kujdestari”, ka deklaruar farmacistja, Njomza Ramshaj-Haliti.
Edhe nga qytetarët u shpreh nevoja për orarin e kujdestarisë së barnatoreve.
Megjithatë pati të tillë edhe që mendojnë ndryshe.
Ndërkohë, Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale iu ka bërë thirrje barnatoreve pas këtij vendimi duke thënë se nuk janë të obliguara që ta respektojnë këtë rregullore. Pasi siç thonë AKPM është i vetmi autoritet kompetent për rregullimin e tregut farmaceutik.
Televizioni ka tentuar të marrë qëndrim për deklaratën e AKPM-së edhe nga Oda e Farmacistëve.
Por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.