Bashkimi Evropian ka ftuar Kosovën dhe Serbinë në takim të mërkurën në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur të hënën në konferencë për media se palët do të takohen për ta vazhduar bisedimet në gjetjen e zgjidhjes së përkohshme në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.
Ai tutje ka thënë se BE-ja pret që palët të jenë të gatshme për të arritur kompromis.
“Lajçaku ka ftuar palët nga dyja anët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, të prekur nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”, ka thënë Stano.
Ai tutje ka thënë se kjo çështje po e zhvendos vëmendjen nga përparimi në zbatim të marrëveshjes së Ohrit.
“Shpresoj që palët të sillen në frymë evropiane e të arrijnë në kompromis. Nuk varet çfarë duam, por gatishmërinë e dyja palëve për të arritur kompromis”, është shprehur ai.