Edicioni 2024/25 në Albi Mall Superligën e Kosovës ka përfunduar me Dritën që mbylli kampionatin si kampione, duke regjistruar një fitore bindëse 4-1 ndaj Feronikeli ’74 në xhiron e fundit.
Ballkani, që përfundon sezoni si nënkampion, barazoi 2-2 në derbin lokal ndaj Suharekës, pavarësisht se luajti me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje pas përjashtimit të Bernard Karricës në minutën e 43-të.
Malisheva siguroi vendin në kualifikimet për Ligën e Konferencës pas një barazimi 2-2 ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, rezultat që u mjaftoi për ta tejkaluar konkurrencën për vendin evropian. Prishtina, ndonëse jashtë pozicioneve të larta në ligë, e kishte siguruar pjesëmarrjen në Evropë përmes fitores në Kupën e Kosovës.
Në takimet e tjera, Gjilani dhe Ferizaj ndanë pikët pas një barazimi 2-2, me Ferizajn që humbi mundësinë për kualifikim evropian. Llapi triumfoi 3-1 ndaj Dukagjinit, duke siguruar pjesëmarrjen në barazh, ku do të përballet me Vushtrrinë për të përcaktuar fatin në sezonin e ardhshëm.
Drita do të përfaqësojë Kosovën në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, ndërsa Ballkani dhe Prishtina do të luajnë në kualifikimet për Ligën e Evropës. Malisheva do të jetë pjesë e kualifikimeve për Ligën e Konferencës.
Suhareka dhe Feronikeli ’74 kanë rënë nga elita, ndërsa vendet e tyre do të zëvendësohen nga Prishtina e Re dhe Drenica, të cilat siguruan promovimin nga Liga e Parë.