Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRrE) është duke mbajtur mbledhje në të cilën pritet të merret vendimi për ta rritur ose jo çmimin e rrymës.
Drejtori menaxhues në ZRRE, Petrit Pepaj gjatë fjalës së tij tha se ZRRE në raportet e saj i ka përcaktuar në mënyrë të detajuara shkaktarët kryesor që kanë të bëjnë me rritjen e kostos së shërbimit.
“I kemi katër shkaktarë që kanë ndikuar në rritjen e kostos: Ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë elektrike nga furnizuesit në shërbim universal. Ndryshimet në kosto të blerjes së energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Parashikimi i çmimeve të energjisë nga importi për vitin 2025 dhe parashikimi për kostot e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit”, ka shtuar ai.
Sipas tij në vlerësimet për vitin 2025 është parashikuar edhe import, duke pasur parasysh se njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes.
Ai po ashtu tha se gjatë gjithë procesit kanë pranuar komente nga qytetarë, gjithsej 396 komente.
Peja gjithashtu tregoi se kanë pranuar komente nga shoqëria civile, nga KEDS, KOSST, Elektroserver, Qeveria, nga Armend Muja, Presidenca, etj.
“Kemi zhvilluar takime, me Odën Ekonomike, presidencën, Avokatin e Popullit, me media, etj”, tha ai.
Drejtori menaxhues po ashtu tha se kanë kërkuar edhe takim me grupin “Asnjë Cent më shumë”, por siç tha ai nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Në të gjitha takimet që kemi mbajt janë zhvilluar bisedime konstruktive dhe kemi thënë shkaktarët e saj. Të gjjtha komentet janë shqyrtuar me kujdes maksimal. Raporti është voluminoz mbi 100 faqe”, tha ai.
Ndërkaq, Iniciativa “Asnjë cent më shumë” organizon protestë të re kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike sot në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kjo protestë vjen pas asaj që ditë më parë u mbajt po në kryeqytet dhe që kishte një pjesëmarrje mjaft të gjerë të qytetarëve. Ditë më parë, ZRrE-ja ka arsyetuar se shkak kryesor i paralajmërimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike është çmimi në bursat e energjisë elektrike.
Ndërkohë, kryesues i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, vendosi që mbledhja të vazhdojë me dyer të mbyllura, duke kërkuar që gazetarët ta lëshojnë sallën. Ky vendim hasi në reagimin e gazetarëve të cilët kërkuan sqarime lidhur me vendimet e marra deri në ato çaste.
Ndryshe, Telegrafi do të ju mbajë të informuar për vendimet e fundit nga ZRRE.