Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli ka publikuar pamje të reja ku shihen xhandarmëria serbe duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Surdulli ka bërë apel tek institucionet e Kosovës dhe KFOR-in, që të ndërmarrin masa që këto veprime të mos përsëriten.
Sipas tij kjo ka ndikuar shumë në popullatën e kësaj zone, duke bërë që edhe qytetarën e zonës kufitare të shpërngulen nga aty.
“Sot, më 07.08.2020, rreth ores 18,05 një kolonë e ushtrisë së Serbisë të shoqëruar me disa qenë përsëri erdhën nga mali e anës së Serbisë kaluan nëpër rrugën e lagjës tonë të Bernjashëve dhe ranë teposht ende më fellë të territorit të Republikës së Kosovës. Ky veprim i hyrjes së ushtrisë serbe ne këtë pjesë të territorit të Kosovës me keqardhje po vazhdon edhe pas 20 viteve të çlirimit jo të plotë të Kosovës. Apelojmë te KFOR-i si dhe institucionet e Kosovës të marrin masa adekuate që mos të përsëriten këto veprime të ushtrisë serbe, sepse ka ndikuar dhe po ndikon përveç në shqetësimin po ashtu edhe në shpërnguljen e qytetarëve të zonës kufitare të Karaçevës”, shkruan Surdulli.
Ndryshe, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur tejet të brengosur, për faktin se nëpër parkingun e një restoranti të këtij fshati janë parë dhe filmuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe duke kaluar.
Madje ata theksojnë se ngjarja është filmuar një kilometër në brendësi të territorit të Kosovës, më saktësisht në parkingun e restorantit “Oxygen”, ku pronari i lokalit Adhurim Krasniqi, ka publikuar pamjet e këtij momenti, transmeton Telegrafi.
Sipas Krasniqit, xhandarmeria serbe që u kap nga kamerat e sigurisë të lokalit të tij, kishte tendencë destabilizimi duke kaluar pranë pronës së tij, duke i bërë thirrje institucioneve të marrin masa.