Njëra ndër deputetet më të zëshme të Parlamentit Britanik për çështjen e Kosovës, Alicia Kearns, ka reaguar pas rrëmbimit dhe arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të mërkurën nga forcat serbe në veri të vendit.
Sipas saj, nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë është një përshkallëzim shumë serioz.
Përmes një cicërime në Twitter, ajo shkroi se kjo do të kërkonte një sanksion të rëndësishëm nga fuqitë perëndimore.
“Nëse policët kosovarë janë rrëmbyer nga forcat serbe që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, ky është një përshkallëzim shumë serioz”, ka thënë ajo.
“Kjo do të kërkonte një sanksion të rëndësishëm nga fuqitë perëndimore, të cilat nuk janë përmbajtur nga sanksionet dhe kritikat ndaj Kosovës për shumë, shumë më pak”, shtoi ajo.