Aktorja Naya Rivera kishte kërkuar ndihmë para se të mbytej, u tha djali i saj hetuesve.
Naya Rivera bërtiti për ndihmë para se të mbytej, duke përdorur forcën e fundit për të sjellë djalin e saj 4-vjeçar përsëri në anije, u tha ai hetuesve, shkruan CNN, transmeton lajmi.net.
Aktorja e “Glee” dhe djali i saj morën me qira një varkë në korrik në Liqenin Piru. Të dy vendosën të hidheshin në ujë për të notuar, sipas një raporti hetimor nga Qarku Ventura.
Pas pak, Rivera i tha djalit të saj që të kthehej në anije, thuhej në raport.
“Ajo e ndihmoi atë të ngjitej në anije dhe ai më pas dëgjoi (nënën e tij) të bërtiste ‘ndihmë’ dhe e ngriti krahun lart,” tha raporti. “Ajo më pas u zhduk në ujë”.
Shkaku i vdekjes së Riveras ishte fundosja dhe mënyra e vdekjes së saj ishte aksident, u tha në raportin e autopsisë nga Zyra e Provuesit Mjekësor të Qarkut Ventura.
Autopsia dhe raporti hetimor tha se Rivera nuk kishte tentuar të vetëvritej dhe kohën e fundit kishte marrë ilaçe kundër infeksionit të sinusit.
Raportet gjithashtu thonë se ajo kishte marramendje që u përkeqësua kur ishte në ujë, por konsiderohej si notuese e mirë. Ajo nuk kishte ndonjë simptomë të COVID-19.
Fillimisht, Riveras iu ofrua një xhaketë shpëtimi, por nuk pranoi, tha raporti hetimor. Punonjësi i qirasë u tha hetuesve se gjithsesi i siguroi asaj një xhaketë.
Disa orë pasi Rivera u mbyt, punonjësi shkoi për të kontrolluar anijen, sepse ishte kaluar afati i kthimit. Punonjësi e gjeti 4-vjeçarin duke fjetur në anije të mbështjellë me një peshqir dhe të veshur me një jelek shpëtimi.
Zhdukja e Rivera çoi në një kërkim gjashtë ditor, i cili përfundoi me zbulimin e trupit të saj në zonën verilindore të liqenit, ku uji është i thellë midis 35 dhe 60 metra. /Lajmi.net/