Pasi Apeli la në fuqi vendimin, pra do të vijojë të jetë Non Grata në Britani të Madhe, Sali Berisha, tashmë nën cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike ka derdhur një lumë akuzash, sipas së cilit procesi është zvarritur me qëllim për të dëmtuar opozitën.
Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat, Berisha, i cili vijon të jetë në arrest shtëpie me akuzën e korruspionit, deklaron se Britania e Madhe nuk ka pasur asnjë provë për shkelje të ligjit nga ana e tij, ose “lideri i opozitës” siç e quan veten. Për ish-kryeministrin, e gjitha po bëhet me qëllim për të ndaluar opozitën në aksionin e saj për të sfiduar pushtetin e Edi Ramës.
“Rastet e paraqitura janë tregues që nuk ka asnjë prove apo fakt për asnjë veprim të paligjshëm nga lideri i opozitës, por duken qartë se janë përpjekje për të ndaluar opozitën të sfidojë pushtetin e korruptuar, që eksporton krim të organizuar, por që pranon të marrë refugjate sipas dëshirës së kërkueseve/lobuesve”, shprehet Berisha.
Ish-kryeministri është ndalur dhe u ka dhënë një e nga një përgjigje te 5 akuzat që vijnë nga Britania e Madhe. Së pari, sa i përket lidhjeve me piramidat në 1997, Berisha thotë se të gjitha hetimet penale dhe parlamentare të bëra edhe nga PS, dëshmojnë që një fakt i tillë nuk qëndron. Së dyti, ai hedh poshtë edhe se ka lidhje me persona të krimit të organizuar, referuar këtu një militanti të PD, i njohur gjatë protestës së bërë në seli, ku shkelmoi derën.
Për Berishën, ai nuk ka asnjë lidhje me Dautin, por thotë se ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King Smith nuk ka pasur asnjë provë tjetër përveç se deklaratave të bëra aso kohe nga Lulzim Basha. Gjithashtu, Berisha hedh poshtë edhe akuzat se ai ka pasuruar biznesmenin Damir Fazliç, apo pretendimet se vajza e tij, Argita Malltezi, ka përfituar nga investimi 100 mln euro i biznesmenit Ansar. Të gjitha këto, ish-kryeministri, i quan shpifje dhe gënjeshtra të trasha.
Mes akuzave për ambasadorin britanik, lidhjet e këtij të fundit me Soros, Berisha argumenton se e sheh të paarsyeshme që ai të jetë një person i padëshiruar në Britani të Madhe, e ndërsa nga ana tjetër kryeministri Edi Rama, sipas tij, është “i zhytyr kokë e këmbë në korrupsion”.
“Të thuash se po lufton krimin e organizuar pse një militant i panjohur goditi me shkelm një dere dhe po ndëshkon liderin e opozitës është përpjekje mjerane për të mbajtur ne pushtet korrupsionin dhe krimin e organizuar ndërkombëtar që përfshin (i) narkoshtetin e pare në Evrope ku kryeministri akuzohet nga zëvendësi i tij se takon në zyrë krerët e bandave kriminale, ku shefat e policisë janë në marrëdhënie me krimin për të porositur vrasje, (ii) ku jepen licence kazinoje për kartelin e drogës Sinaloa, ku kokat e krimit te organizuar marrin statusin e investitorit strategjik (iii) ku kryeministri dhe këshilltarët e tij korruptojnë e shefat e inteligjencës se FBI si McGonigal dhe gjeneralin rumun Coldea, etj./A2CNN/