Marinika Tepiq dhe Miroslav Aleksiq, bartës të listës “Serbia kundër dhunës”, kanë bërë të ditur se nga sonte në grevë urie do t’i bashkohen edhe disa nga liderët e këtij koalicioni.
“Ne do ta pranojmë humbjen nëse kemi humbur, por nuk do ta pranojmë vjedhjen. Ishte një vjedhje brutale dhe këtu po mbrohet shteti, këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Nëse kjo kalon, ne nuk kemi shtet”, thanë ata, transmeton Ballkani.info.
Lista elektorale “Serbia kundër dhunës” u ka shkruar institucioneve evropiane dhe ka kërkuar që të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore dhe veçanërisht lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë zgjedhore.
Përfaqësuesve të demokracive evropiane u kërkohet të fillojnë “një hetim të plotë ndërkombëtar për parregullsitë zgjedhore nën kujdesin e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, me theks të veçantë në zgjedhjet për Kuvendin e Qytetit të Beogradit”.
Afati i fundit për dorëzimin e një raporti të pavarur duhet të jetë 15 shkurti, sipas koalicionit “Serbia kundër dhunës”.
Në letër po ashtu thuhet se “Serbia kundër dhunës” nuk pranon dhe nuk do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve, shkruan N1.