Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Gjilanit, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”. Mjeku kujdestar në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e dy personave, ndërsa dy të tjerët janë dërguar në Qendrën Emergjente të Gjilanit për trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Ismet Hashani, tha për “Nacionalen” se rasti po hetohet si “vrasje dhe plagosje me armë zjarri”.
“I dyshuari është një person mashkull, shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin është në arrati. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit. Policia, në bashkëpunim me prokurorin, po heton rrethanat e rastit,” deklaroi Hashani.