Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas marrëveshjes për targat që është arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur, duke thënë se ashtu siç do të ju mbulohen simbolet shtetërore targave të Kosovës në Serbi, njëjtë do të ndodh edhe me targat serbe në Kosovë.
“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte vendosur katër kushte për takim javën e kaluar, por që këto kushte nuk i janë plotësuar dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel.
Në fund, Kurti ka thënë se tash fillon epoka kur Serbia nis mësohet me reciprocitet.
Postimi i plotë:
Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.
Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.