Federata e Futbollit të Kosovës, e ka uruar kapitenin e kombëtarës Amir Rrahmanin, për titullin e kampionit të fituar në Serie A me Napolin.
Në urimin e FFK-së, shkruan se ky sukses i jashtëzakonshëm merr një domethënie të veçantë, pasi Amir Rrahmani ishte një nga shtyllat kryesore të ekipit, duke i zhvilluar si titullar të gjitha 38 ndeshjet e këtij edicioni në Serie A, çka flet për stabilitetin, profesionalizmin dhe cilësinë e lartë të tij.
“Arritjet e tilla janë dëshmi e nivelit të futbollistëve tanë dhe burim krenarie për gjithë vendin, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për brezat e rinj të futbollit në Kosovë”, thuhet në urim.
“Të përgëzojmë me zemër, Amir! Të urojmë suksese të reja, si me klubin ashtu edhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës në ciklin e ardhshëm kualifikues për Kupën e Botës 2026! Të priftë e mbara!”.