Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Atë ditë, pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, Hoti zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Në bazë të dokumenteve të ushtrisë dhe policisë serbe, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu i Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesisë për krime lufte.
Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serbw. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shtetëror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999.
Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit, por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtëpisë së një shqiptari. Dëshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje pwr derwn dhe oborrin siç i kishte parw në maj të vitit 1999.
Pas luftës ai mur është ndwrtuar me blloqe të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës. Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rrugws lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose stallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe.
Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjesëtarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga komandanti Miliçko Jankoviq. /Demokracia.com/