Pas një fushate të jashtëzakonshme kualifikuese, Kombëtarja e Kosovës vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën për pjesëmarrje në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm.
Trajneri gjerman Franco Foda ka lënë të kuptohet se mund të vazhdojë bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Kosovës, duke konfirmuar se palët janë në bisedime për rinovimin e kontratës.
“Po, është e vërtetë që po zhvillohen bisedime,” tha Foda për mediat gjermane, sipas raportimeve të 4-4-2. “Si federata, ashtu edhe trajneri duhet të jenë të kënaqur – me ambientin, me profesionalizmin. Prandaj është plotësisht e mundur që të qëndroj në Kosovë edhe për një periudhë më të gjatë.”
Ish-trajneri i FC Zürich është shprehur i kënaqur me kushtet e punës në FFK dhe me marrëdhënien që ka ndërtuar me skuadrën. Kontrata aktuale e 59-vjeçarit është e vlefshme deri në fund të korrikut 2026.
Së fundmi, Kosova regjistroi një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Suedisë – një rezultat që ka rikthyer optimizmin në kampin “dardan”.
Nëse rezultatet e nëntorit shkojnë në favor të tyre, Kosova mund të sigurojë kualifikimin e drejtpërdrejtë për Kupën e Botës. Përndryshe, do të kërkojë shansin përmes fazës “play-off” në mars të vitit të ardhshëm.
Në muajin nëntor, skuadra e Fodës do të përballet me Slloveninë në udhëtim, ndërsa do të shpresojë që Zvicra të mos e mposhtë Suedinë – një skenar që mund t’i dhurojë Kosovës vendin e parë në grup.