Dy ndeshje të shtunën e tri të tjera të dielën janë në program në kuadër të xhiros së 11-të të Superligës në futboll.
Java hapet me sfidën mes Prishtinës e Gjilanit. Kryeqytetasit në këtë përballje hyjnë me trajner të ri, pas largimit të Debatik Currit.
Kryeqytetasit kërkojnë fitore në këtë ballafaqim, pasi nuk dinë për të tash e shtatë javë, derisa të kuqtë nga Gjilani kërkojnë fitoren e dytë radhazi.
Takimi i parë i luajtur mes tyre kishte përfunduar pa gola. Sa i përket tabelës, Prishtina ka 13 pikë, dy më shumë se Gjilani.
Të shtunën, Fushë Kosova e pret Malishevën, që paraqitet me trajner të ri.
Në pesë sfidat e fundit, malishevasit kanë katër humbje, aq sa ka edhe Fushë Kosova.
Në tabelë, Malisheva qëndron e pesta, derisa mbyllet nga Fushë Kosova.
Malisheva e kishte deklasuar kundërshtarin në takimin e parë, 6:1.
Dy skuadrat e para të tabelës, Ballkani e Drita priten të kenë përballje të lehta këtë javë, të paktën në letër.
Suharekasit luajnë të dielën në udhëtim te Feronikeli 74, duke e kërkuar fitoren e tetë kampionale, karshi dy barazimeve.
E në krahun tjetër, Nikli do të mundohet të shkaktojë befasi e të marrë rezultat pozitiv.
Tabelës pra i prin Ballkani me 23 pikë, kurse Feronikeli është i teti me 11 pikë.
Përballja e parë i kishte takuar therandasve bindshëm 2:0.
Përcjellësi më i afërt i Ballkanit, Drita këtë javë luan në shtëpi ndaj Lirisë, për t’i hakmarrë për atë barazim pa gola në sfidën e parë.
Të kaltrit nga Gjilani janë të dytit në tabelë me dy pikë më pak se ekipi i parë.
Interesante e të dy ekipeve është se Drita ka pesë fitore radhazi, derisa Liria pesë humbje radhazi. Prizrenasit në tabelë janë të parafundit.
Sfida e fundit luhet në Klinë, mes Dukagjinit e Llapit. Të besuarit e Tahir Batatinës do kërkojnë fitoren e dytë ndaj atyre të Armend Dallkut, në një terren tejet të vështirë.
Sa i përket klasifikimit, llapjanët gjenden të tretit më 19 pikë, plot shtatë më shumë se klinasit të gjashtit. Të gjitha përballjet e kësaj jave të 11-të zhvillohen nga ora 13:00.