Zhvillimet në veri i kanë lënë nën hije ato në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku para rreth tre muajsh u arrestua Kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Nagip Krasniqi. Krasniqit ndodhet në paraburgim që prej atëherë, derisa masa e vendosur nga Gjykata skadon më 19 korrik.
Prokuroria Speciale s’është përgjigjur se a do të ketë aktakuzë për të së shpejti, derisa për trajtimin që po i bëhet atij në Qendrën e Paraburgimit, ka folur avokati i tij, Virtyt Ibrahimaga.
Kryeshefi i pezulluar i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është në paraburgim qe gati tre muaj. Ai u arrestua më 19 prill, me urdhër të Prokurorisë Speciale, si i dyshuar për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ushtrimi i ndikimit dhe Konflikti i interesit.
Një ditë më pas, Gjykata Themelore e Prishtinës ia caktoi të njëjtit masën e paraburgimit prej një muaji, me kërkesë të Prokurorisë.
Më 19 maj, Krasniqit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj. Kjo masë i bie që përfundon pas rreth dy javësh.
Prokuroria Speciale s’është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Express nëse pritet të ketë aktakuzë së shpejti ndaj tij, e as nëse ka ndonjë të re rreth këtij rasti.
Ka qenë avokati i tij, Virtyt Ibrahimaga, ai i cili ka thënë se s’ka zhvillime të reja. Ibrahimaga ka folur edhe për trajtimin që po i bëhet atij në Qendrën e Paraburgimit
“Nuk kemi ndonjë zhvillim të ri për mometin. Trajtimi nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues është korrekt”, ka thënë Ibrahimaga shkurt për Express.
Pas arrestimit, Nagip Krasniqit i është pezulluar pozita e shefit të KEK’ut nga bordi i kësaj ndërmarrje publike.
“Nagip Krasniqi, shok i ngushtë i Kurtit”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përmendur mbrëmë arrestimin e Krasniqit, të cilin e ka quajtur “shok të ngushtë” të Kurtit.
“Kurti ka fituar mandat për të zgjedhur telashet e qytetarëve të Kosovës, siç janë edhe arrestimi i të korruptuarve. Kush është sot në burg? Veç shoku i ngushtë i Albin Kurtit, Nagip Krasniqi, i cili është njeriu kryesor i Albin Kurtit për energji. Ai është i burgosur për korrupsion, kurse Kurti e quan burrë të mirë”, ka thënë Krasniqi në Pressing të T7.
Kur ishte diskutuar në Kuvend për këtë rast, Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se “Krasniqi ia solli KEK’ut 107 milionë euro në vitin 2022“, duke ia llogaritur si sukses menaxherial e njëkohësisht duke e përdorur si “argument mbrojtës” ndaj tij.
“E dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën dhe keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë hetuar nga prokuroria. Prokuroria është e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut më 2022 ka qenë 107 milionë euro. Zelli i prokurorisë për t’u marrë me deponimet, e faktet, e dëshmitë e keqpërdorimeve të mëhershme është zero, ndërkaq zelli për t’u marrë me kryeshefin i cili solli 107 milionë euro fitim ishte maksimal”, kishte thënë Kurti.
Kurti kishte goditur edhe Kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufajn, duke thënë se prokuroria e shtetit po vepron kundër Qeverisë së tij.
“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë, ndaj pushtetit të ri të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Kjo lidhet më shumë se me askë tjetër me figurën e Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror që është i mirënjohur që rastin e vrasjes së Dino Asanj e kategorizoi me vetëvrasje ndërsa vetëvrasjen e Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje. Njihet si kryeprokuror që asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykata dhe pikërisht ky prokuror do të bëhet kryeprokuror, përkundër vullnetit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit”, ka deklaruar Kurti.
Për çka përfundoi në burg Krasniqi?
Nga dita e arrestimit e deri sot, nëpër media kanë qarkulluar shumë raportime lidhur me kontratat që mund ta kenë çuar në burg Krasniqin, i cili para dy ditësh është pezulluar nga pozita e kryeshefit. Por, konfirmim nga Prokuroria Speciale s’ka ende.
Fillimisht u raportua se kontrata për të cilën u arrestua Krasniqi është ajo për riparimin emergjent të kalldajës së bllokut A-5 të Termocentralit Kosova A, që kishte vlerë 3.4 milionë euro.
Kontrata për këtë tender që është ishte dhënë me procedurë të negociuar, ishte nënshkruar më 27 janar të këtij viti.
Riparimi i kësaj kalldaje i ishte besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Litëin SA; Bujar B. Shala B.I”.
“Punët e demontimit, Pastrimin dhe krijimin e kushteve për punë, Shqyrtimet në sistemin gypor dhe paimeve të demtuara dhe atyre që janë nën dyshimin e dëmtimit, Liferimin e paimeve të specifikuara, montimin e paimeve të reja, Sanimi i paimeve të dëmtuara, Ekzaminimin sipas standardeve për saldet në pjesen nën presion me 10%- me radiografi, Komisionimin e ftoftë dhe të nxehtë, që nënkupton; kthimin në punë dhe ekzekutimin e testit funksional të bllokut ; kontrrollat e sigurisë dhe dorëzimin e raportit për punët e kryera”, ishin punët që do të kryente ky grup i operatorëve ekonomikë.
Por, Korporata Energjetike e Kosovës reagoi për këto raportime, duke i quajtur të pavërteta.
Përmes një reagimi në Facebook, KEK tha se kjo kontratë është ndërprerë më 20 mars dhe se s’është realizuar asnjë pagesë në favor të operatorit.
“Kontrata për “Riparimin emergjent të kaldajës në Bllokun A5”, është nënshkruar ne fund të muajit janar të këtij viti, por që e njëjta është ndërprere më dt. 20.03. 2023 pasi që operatori ekonomik ka dështuar t’i plotësojë kushtet kontraktuale sipas kontratës se nënshkruar (dorëzimin e garancionit financiar për ekzekutimin e punëve). Prandaj është më rendësi të theksohet se KEK nuk ka pasur asnjë shpenzim financiar meqë asnjë pagese nuk është realizuar në favor të operatorit”, thuhej në reagimin e KEK.
Edhe pse KEK e mohoi, ka qenë avokati i Krasniqit, Virtyt Ibrahimaga, ai i cili e ka konfirmuar se klienti i tij po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare pikërisht për këtë kontratë.
“Vepra penale qe ngarkohet Nagip Krasniqi ka të bëje me supozimin e Keqpërdorimit të detyrës zyrtare për përfitim për vete ose dikë tjetër. Dyshimi i bazuar sipas prokurorisë është ekzistimi i kontratës me Kompaninë Zvicerane për riparimin e kaldajës për bllokun A5. Kjo kontratë është shkëputur me datë 20.03.2023 nga vet Nagip Krasniqi. Asnjë pagese nuk ështe bëre. Prokuroria është e njoftuar me ketë detaj. Askush nuk ka përfituar. KEK nuk ka pasuar asgjë. Si rrjedhoje lidhur me ketë çështje nuk mund te ekzistoj vepra penale”, kishte shkruar Ibrahimaga në Facebook.