Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar pas lajmit se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert dhe se i njëjti draft-statut do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të këtij muaji.
Ambasada gjermane në një deklaratë për Telegrafin thekson se Gjermania e vlerëson hap konkret vetëm dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese.
Në deklaratën për Telegrafin tutje thuhet se dorëzimi i draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë.
“QUINT-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.
Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte hap i tillë.
Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet ta bëjë pjesën e rëndë’. Kjo ende nuk ka ndodhur”, thuhet në deklaratën për Telegrafin.