Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka deklaruar se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur, duke konstatuar se procesi i mëparshëm nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Në një aktgjykim të shpallur më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese theksoi se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me vendimin e mëhershëm të kësaj gjykate, të datës 26 qershor. Si pasojë, Gjykata ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik.
Gjykata i ka kërkuar kryesuesit që të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, duke ftuar përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit.
Sipas vendimit, votimi për këtë post duhet të jetë i hapur dhe mund të përsëritet deri në tre herë për të njëjtin kandidat.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se veprimet e kryesuesit Dehari ishin në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës, i cili përcakton efektin juridik të vendimeve të kësaj gjykate.
Ky zhvillim pritet të ndikojë në dinamikën politike brenda Kuvendit të Kosovës, ndërsa mbetet për t’u parë se kur do të thirret seanca e radhës dhe cilat do të jenë propozimet për kryesimin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.