Një rast tejet shqetësues është regjistruar në lagjen Dardania në Fushë Kosovë mëngjesin e datës 8 korrik 2025, ku një grua dhe vajza e saj 2-vjeçare janë përballur me një grabitje të armatosur e të shoqëruar me kërcënim për rrëmbim, duke tronditur opinionin publik dhe ngritur alarmin për sigurinë publike në vend.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, kur viktima, M.I., rreth 29 vjeçe, ka qenë duke ecur me vajzën e saj të mitur në këtë lagje, kur papritmas është ndalur nga një veturë ngjyrë hiri me targa të pazakonta – vetëm me numrin “1”.
Në veturë, sipas deklaratës së saj para hetuesve, ndodheshin dy persona: një burrë rreth 50 vjeç në vendin e shoferit, i cili ka nxjerrë armën dhe ia ka drejtuar viktimës, si dhe një person tjetër, rreth të 20-ave, i maskuar, i cili i është afruar nga mbrapa.
Të dy të dyshuarit e kanë kërcënuar viktimën duke i thënë:
“Na i jep të gjitha, përndryshe e marrim vajzën.”
E frikësuar për jetën e fëmijës, nëna ka dorëzuar menjëherë telefonin personal, një kartelë bankare dhe një shumë të vogël parash – rreth 6 euro. Pas këtij akti të rëndë, të dy personat janë larguar me shpejtësi në drejtim të panjohur.
Prokuroria për Krime të Rënda ka cilësuar rastin si “Grabitje”, ndërsa hetimet janë marrë nga Njësia për Hetime të Përgjithshme e Policisë së Kosovës, të cilët kanë nisur një hetim intensiv për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia njofton se janë duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe fton qytetarët që kanë informacione për veturën apo autorët e dyshuar, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente.