Emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se takimi i 10 korrikut i ndërmjetësuar nga BE, duhet të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, Grenell ka thënë se SHBA mbështet plotësisht udhëheqjen e liderëve europian në dialogun Kosovë-Serbi
“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell.
Grenell tutje ka theksuar se është e rëndësishme që ky takim të përfundojë me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, teksa shtoi se duhet të bisedohet edhe rreth ekonomisë.
“Çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të theksuar normalizimin ekonomik midis palëve sepse besojmë se është hapi i parë thelbësor për këtë mosmarrëveshje politike afatgjatë”, ka shkruar ai tutje, përcjell Gazeta Metro.
Ndër të tjera, emisari amerikan thotë se në këtë takim duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara muaj më parë, nën ndërmjetësimin e tij.
“Shpresojmë që evropianët do të vënë në prioritet edhe zbatimin e marrëveshjeve ajrore, hekurudhore dhe të autostradave që janë nënshkruar më herët. Ne besojmë se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë”, ka shkruar ndër të tjerash ai.
Sipas Grenellit, Amerika asnjëherë nuk e ka besuar në një marrëveshje të shpejt brenda vitit midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Metro.
“Asnjëherë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë të vitit zgjedhor midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe kurrë nuk kemi menduar që përqendrimi ynë i vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë. Çështjet e vështira dhe afatgjate politike do të jenë më të lehta për t’u përballur pasi të kenë përparuar së pari çështjet ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të përpiqet me ide të reja dhe krijuese nëse ndonjëherë do të kemi përparim. Dhe populli i Kosovës dhe Serbia meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropianit”, ka shkruar Grenell.
Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi pritej të rifillojë më 27 qershor në SHBA, pas ftesës në Shtëpinë e Bardhë që iu bë liderëve nga të dyja vendet.
Sidoqoftë, i njëjti u anulua vetëm tre ditë para se të mbahej, për shkak të propozim-aktakuzës nga zyra e Prokurorit të Specializuar, ndaj Presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli.
Shumë analistë e politikanë ndërkombëtarë e kanë cilësuar këtë aktakuzë si të qëllimshme, pikërisht vetëm pak ditë para takimit të cilin SHBA e konsideronte historik.