Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se që nga viti 1999 në Kosovë janë vrarë 99 gra nga burrat ose partnerët e tyre.
Ajo i ka bërë thirrje që të monitorohet gjuha e urrejtjes që përdoret në rrjete sociale.
“Unë bëj thirrje edhe sot që me kujdes të veçantë të monitorohet kjo gjuhë që po përdoret në rrjete sociale, sepse është nxitëse që të vazhdojnë me akte kriminale të ngjashme, të njëjta apo të përafërta. Ndaj këtyre fenomeneve nuk mund të jemi spektatorë sepse rezultatet e gjuhës së urrejtjes e dimë se ku na dërgojnë, prandaj me urgjencë duhet të veprojmë duke promovuar tolerancë e respekt përmes mediave, kulturës, artit, politikes, shkollave e universiteteve e nga çdo sferë tjetër”, tha ajo.
Haxhiu tha se duhet të shqiptohet dënime meritore.
“Le të jenë institucionet në ndërgjegjësimin më të lartë që rastet e tilla të trajtohen me prioritet dhe me seriozitetin maksimal, se vajza e gra nuk kemi për të humbur dhe se burrëria e monstrumëve të ligë nuk i duhet vendit e as shoqërisë. Prandaj le të shqiptohen dënimet maksimalet, le të vuajnë dënimet meritore, sepse përderisa janë dhunues ata janë të padobishëm për shoqërinë, janë të padobishëm për familjen, prandaj edhe duhet të marrin dënimin e merituar e pastaj të rehabilitohen dhe të dalin si persona të përgjegjshëm nga institucionet korrektuese”, u shpreh ajo pas takimit me krerët e drejtësisë dhe sigurisë.