Kur Vladimir Putin mori pushtetin në Rusinë post-sovjetike një çerekshekulli më parë, ai menjëherë përveshi mëngët për të rivendosur statusin e Moskës si fuqi botërore.
Iu deshën 15 vjet, por Rusia njoftoi për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile siriane, si dëshmi të rikthimit të saj si forcë që nuk duhet të injorohet në skenën ndërkombëtare.
Moska e përdori atë imazh për të zgjeruar ndikimin e saj në gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, si një kundërpërgjigje ndaj Perëndimit.
Njerëzit qëndrojnë mbi një tank duke festuar në sheshin Umajad në Damask më 8 dhjetor 2024.
Tani, rënia e Qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, një aleati kyç të Moskës, i ka dhënë një goditje serioze ambicieve të Moskës si fuqi e madhe.
“Aventura ushtarake e Putinit në Siri ishte e dizajnuar të demonstronte se Rusia është fuqi e madhe dhe mund ta projektojë ndikimin e saj jashtë vendit”, tha Phillip Smyth, ekspert për Lindjen e Mesme. “Humbja e Sirisë është shuplakë e fortë në fytyrën e Putinit”.
Rrëzimi i Assadit paraqet jo vetëm goditje ndaj reputacionit të Rusisë, por ka të ngjarë të paraqesë edhe një humbje të madhe strategjike.
Siria është shtëpi e dy instilacioneve të mëdha ushtarake të Rusisë: një baze ajrore në Hmeimim dhe një baze detare në Tartus. Baza detare në Tartus është baza e vetme që Rusia ka në ujëra të ngrohta dhe i jep qasje Moskës në Detin Mesdhe.
“Rusia ka përdorur bazat e saj në Siri për të projektuar fuqinë e saj si në lindje të Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme”, tha Smyth.
Asete ruse në Siri
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri më 2015 ndryshoi rrjedhën e luftës. Fushata shkatërruese ajrore e Moskës ndaj pozicioneve të rebelëve, ndihmuan ushtrinë siriane të rimerrnin pjesë të mëdha të territorit dhe të mbanin në pushtet Assadin.
Fushata e Moskës në Siri ndodhi një vit pas pushtimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për forcat separatiste në lindje të Ukrainës.
Moska përdori përfshirjen e saj në Siri dhe Ukrainë për ta paraqitur veten si fuqi, që është e aftë të sfidojë Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi dhe në të njëjtën kohë zgjeron ndikimin në botë nga Mesdheu në Afrikë dhe Amerikën Latine.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Siria u bë më shumë aset për Moskën, thanë ekspertët, përderisa po ashtu paraqet sfidë për të mbajtur fushatat ushtarake në dy fronte.
Me pritjen që Rusia të humbë asetet e saj ushtarake në Rusi, pas rënies së Qeverisë së Assadit, detyra është bërë edhe më e rëndë.
Rusia veçse ka investuar shumë në një kundërofensivë të madhe për të rimarrë territorin në rajonin e saj jugperëndimor të Kurskut, që e ka humbur nga Ukraina dhe për këtë ofensivë po varet nga ndihma e trupave të Koresë së Veriut. Në të njëjtën kohë, Moska po tenton të marrë sa më shumë territor që mundet në lindje të Ukrainës përpara bisedimeve të mundshme për paqe.
Ndërtesat ushtarake të Rusisë përgjatë brigjeve të Mesdheut në perëndim të Sirisë mund të merren nga militantët që udhëhiqen nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që është e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Aaron Zelin, hulumtues i lartë në Institutin e Uashingtonit, tha se Rusia, thjesht, nuk e ka në dispozicion fuqinë e njëjtë të zjarrit që të mbrojë asetet e saj në Siri.
“Është e rëndësishme të kujtohet se tani Rusia duhet të merret me luftën e saj më të madhe në Ukrainë për dallim kur ndërhyri për herë të parë në Siri më 2015”, tha Zelin.
“Asetet e Rusisë po ashtu po luftojnë në Afrikën Sub-sahariane. Dhe për dallim nga një dekadë më parë, kur Rusia kishte Grupin Wagner, që udhëhiqej [nga i ndjeri Yevgeny] Prigozhin… Rusia nuk e ka nivelin e njëjtë të kapacitetit apo aftësisë për t’u përballur tani me këtë gjë në të njëjtën mënyrë si më parë”.
Zelin tha se humbja e bazës detare në Tartus, në veçanti do të ishte “një humbje jashtëzakonisht e madhe për Rusinë”.
“Ai është porti i vetëm i Rusisë në ujëra të ngrohta dhe mund të përdoret për aktivitete të marinës dhe për të treguar fuqi”, tha ai. “Humbja e kësaj baze do të shkëpuste Rusinë nga thelbi i Lindjes së Mesme”.
Moska nuk ka dërguar trupa tokësore për të ndihmuar Damaskun, që ra në duart e HTS-së dhe aleatëve të tij më 8 dhjetor. Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore që kur militantët nisën ofensivën e tyre kundër forcave të Assadit në fund të nëntorit, por ndërhyrja e kufizuar e Moskës bëri pak në ndaljen e përparimit të rebelëve.
Kush është HTS-ja?
Hayat Tahrir al-Sham (HTS) është grup militant islamist, anëtarët e së cilit janë kryesisht salafistë, një sekt ultra-radikal i islamit sunit. Ky grup kërkon themelimin e një shteti në Siri që qeveriste sipas ligjit islamik.
Grupi u shfaq në skenë më 2012, një vit pas nisjes së luftës civile siriane. Fillimisht, grupi u shfaq me emrin Jabhat al-Nusra, apo Fronti Nusra, degë siriane e Al-Kaidas.
I udhëhequr nga Muhammad al-Julani, grupi merrte urdhra nga Abu Bakr al-Baghdadi, udhëheqësi i Al-Kaidas në Irak. Baghdadi më pas shkëputi lidhjet me Al-Kaidan dhe themeloi grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), grup në të cilin Julani refuzoi të bëhej pjesë.
Fronti Nusra u shndërrua në një nga grupet më vdekjeprurëse që luftojnë kundër Assadit dhe përdor taktika, sikurse bombardimet vetëvrasëse dhe pajisjet artizanale plasëse.
Grupi militant më pas ndryshoi emrin disa herë dhe u distancua nga Al-Kaida. Më 2017, ajo u bashkua me grupe të tjera opozitare në veriperëndim të Sirisë për të formuar HTS-në.
Ky grup është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe grupet aleate.
Ekspertët thanë se Rusia do të paguajë çmim të lartë për dështimin e saj në Siri.
Rënia e Assadit është “një goditje e madhe për pretendimin e Rusisë se ende është fuqi botërore, në kuptim të mbajtjes së ndikimit ushtarak dhe politik jashtë vendit”, tha Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Po ashtu, aktorët në rajonet e tjera, sikurse Amerika Latine dhe Afrika, “mund të nisin të rimendojnë lidhjet e tyre dhe varësinë e tyre nga Rusia”, tha ai.