Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në lidhje me vrasjen e Enver Bajraktarit, trupi i të cilit u gjet i groposur në fshatin Baicë të Lipjanit më 4 gusht.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se i dyshuari, i identifikuar me inicialet T.K., është arrestuar të martën në mëngjes dhe, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar veprimet që lidhen me vrasjen.
Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Sipas policisë, trupi i viktimës u gjet në një arë në fshatin Baicë pas një raportimi për një trup të pajetë të groposur.
Autoritetet theksojnë se i dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet nga gjykata.