Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën që po vjen, duke paralajmëruar ndryshueshmëri të kushteve atmosferike mes ditës së shtunë dhe asaj të diel.
E shtunë, 12 prill:Moti pritet të jetë kryesisht i vranët, me mundësi për reshje të dobëta shiu në disa zona.
Temperaturat minimale do të sillen nga 3 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 13 deri në 15 gradë.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.
E diel, 13 prill:Dita e diel do të karakterizohet me mot kryesisht me diell, me vranësira të përkohshme kryesisht mbi zonat malore.
Temperaturat minimale do të bien ndjeshëm, duke lëvizur nga -1 deri në 2 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të shënojnë rritje dhe pritet të jenë ndërmjet 15 dhe 20 gradë.
Erërat do të jenë të lehta nga jugperëndimi, me shpejtësi 1 deri në 3 metra për sekondë.
Qytetarëve u rekomandohet të kenë kujdes gjatë mëngjeseve të ftohta dhe të planifikojnë aktivitetet në natyrë, veçanërisht të dielën, kur pritet një ditë më stabile dhe më e ngrohtë.