Interesimi i lart për ta parë skuadrën e Ballkanit teksa paraqitet në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës po vazhdon edhe në ndeshjen e sontme ndaj Slavia Prahës, në kuadër të rrethit të pestë të Grupit G.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është arenë e ballafaqimit të Grupit G me fillim nga ora 21:00. Tempulli me emrin e legjendës së futbollit kosovar pritet të jetë i stërmbushur sonte nga tifozët.
Duke u bazuar në sajtin për blerjen online të biletave të këtij takimi, raporton se në treg kanë mbetur rreth 986 bileta, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Më së shumti bileta të lira në treg ndodhen në sektorin V3 me 225 bileta të lira.
Ballkani më 21 tetor njoftoi se biletat për ndeshjen kundër Slavia Prahës do të blihen përmes platformës online.
Çmimet e biletave nisën nga 2 euro në sektorët Veri dhe Jug, duke vazhduar me 5 euro në Lindje, 10 euro në Perëndim, ndërsa për zonën VIP bileta kushton 40 euro.
Kampionët e Kosovës vijnë pas disfatës 1:2 me Sivassporin në kryeqytet dhe barazimit 1:1 me Dukagjinin në Superligën e Kosovës.
Ballkani është i fundit me katër pikë, po aq sa Slavia që ka goldallim më të mirë. I pari është Sivasspori me shtatë pikë. Shtatë ka edhe Cluji i dyti.