Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se ka urdhëruar ushtrinë të përgjigjet “fuqishëm” ndaj shkeljes së supozuar të armëpushimit nga Irani, me sulme të synuara ndaj objektivave të regjimit në zemër të Teheranit.
Deklarata e tij vjen pak para se ushtria izraelite të raportonte për zbulimin e raketave iraniane në veri të Izraelit.
Ndërkohë, mediat izraelite raportojnë për pesë të vrarë në qytetin Beer Sheba gjatë natës, si pasojë e raketave të lëshuara nga Irani.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane i kanë mohuar akuzat, duke thënë se Teherani nuk ka shkelur armëpushimin.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet reagimi i plotë ndërkombëtar ndaj zhvillimeve të fundit.
Kujtojmë se herët të martën në mëngjes, presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi: “Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni atë!”.
Mesazhi në Truth Social pasoi një seri postimesh të hënën, në të cilat presidenti deklaroi se një “armëpushim i plotë dhe total” ishte rënë dakord midis dy vendeve dhe do të fillonte afërsisht në orën 6 të mëngjesit sipas kohës në Kosovë.
Trump theksoi se mendon që armëpushimi është “i pakufizuar” dhe “do të zgjasë përgjithmonë” – duke shtuar: “Nuk besoj se ata do të qëllojnë përsëri kundër njëri-tjetrit”. /Telegrafi/