Ish- kryeministri i vendit dhe njëherit lideri i LDK-së, Isa Mustafa tash e sa vjet merrë pagë nga Universiteti i Prishtinës pa shkuar asnjëherë në punë.
Gazeta Blic nga burime brenda Fakultetit Ekonomik ka marrë vesh se atij i janë ndarë orët ne nivelin master, dhe është paguar për ato orë, por Mustafa asnjëherë nuk ka shkuar për të mbajtur orë me studentë.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Organizata për Monitorimin e Universiteteve publike në Kosovë “Organizata Studentore”.
Kryetari i kësaj organizate Mexhid Ramusa ka konfirmuar lajmin dhe ka dhënë detaje.
Ai madje e akuzon Mustafën që tash e katër vjet po paguhet pa shkuar fare në fakultet.
“Reagimi jonë është në lidhje me Fakultetin Ekonomik, ku ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa merr rrogë më shumë se katër vite pa ardhë asnjë ditë në universitet dhe pa mbajtur asnjë orë mësimi. Këtë ua dëshmoj unë qartë se jam edhe student i këtij universiteti i nivelit Master dhe i kam dy landë tek i njëjti profesor dhe nuk ka ardhë asnjë orë me mbajt mësim. Ne si organizatë për monitorimin e Universiteteve Publike e kemi monitoru dhe hulumtu këtë rast dhe është 100 përqind i vërtetë. Kërkojmë nga rektorati dhe Prokuroria e Shtetit që të merren masa jo vetëm ndaj këtij profesori por të gjithë profesorëve që janë me ndikim politik dhe marrin paga dhe dëmtojnë buxhetin e universitetit pa mbajtë asnjë orë” deklaroi ai.
Gazeta ka kontaktuar edhe me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti por i njëjti ka deklaruar se nuk ka informata për këtë rast.
“S’kam informata të tilla, s’jam në dijeni për rastin” tha shkurt Sahiti për gazetën.
Ndërkohë kontakti me liderin e LDK-së, Isa Mustafa ka qenë i pamundur pavarësisht thirrjeve telefonike dhe mesazheve të dërguara nga redaksia e gazetës, i njëjti nuk është përgjigjur.
Gazeta Blic ka siguruar edhe dokumenta nga Fakulteti Ekonomik që dëshmojnë se zoti Mustafa, vazhdon punën profesor i rregullt në këtë fakultet.