Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, u përcoll sot për në banesën e fundit në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani, në një ceremoni të mbushur me nderime shtetërore dhe ndjenja të thella respekti për figurën e tij.
Ceremonia mortore u zhvillua në prani të familjarëve, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, bashkëpunëtorëve të ngushtë dhe qytetarëve të shumtë që kishin ardhur për të i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej figurave kyçe të historisë së re të Kosovës.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur me këtë rast, vajza e tij, Shota Bukoshi, përkujtoi me emocion jetën dhe veprën e babait të saj, duke theksuar guximin, përkushtimin dhe sakrificën që ai tregoi në shërbim të vendit. Ajo foli për përkushtimin e tij të palëkundur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për ndershmërinë dhe integritetin që e kishin shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij publike.
Edhe Kuvendi i Kosovës, në nisjen e seancës së 30-të konstituive, nderoi figurën e Bukoshit me një minutë heshtje, duke e vlerësuar atë si një personalitet që la gjurmë të thella në periudhën më të ndjeshme të historisë moderne të Kosovës.
Bujar Bukoshi ndërroi jetë më 10 qershor 2025, në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai do të kujtohet si një prej figurave themeluese të institucioneve të para të Kosovës, mjek i përkushtuar dhe politikan me vizion të qartë për të ardhmen e vendit.