Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar që Ministria e Bujqësisë të publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve.
“KMDLNj kërkon që Ministria e Bujqësisë ta publikojë listën e plotë të përfituesve të subvencioneve për faktin se dyshohet se në listën e papublikuar janë emra të partisë në pushtet e që duket se duan të kursehen”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
Po ashtu ky Këshill e ka quajtur fjalorin e ministrit Peci si “arrogant” dhe “shantazhues” edhe ndaj anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, por edhe ndaj gazetarëve që hulumtuan këtë rast.
“Ministri i Bujqësisë, Faton Peci bëri përpjekje, si Pont Pilati të shfajësohet nga çdo përgjegjësi, me një fjalor arrogant dhe shantazhues, si ndaj një anëtari të LDK – së që e bëri publik lajmin, ashtu edhe ndaj gazetarëve dhe mediave që hulumtuan këtë rast dhe rastet tjera”.
“Kërcënimi i ashpër u drejtua kundër partive opozitare e sidomos ndaj njërit lider të partisë i cili u akuzua si “vrasës i patriotëve shqiptarë”.
KMDLNJ ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të hetojë këto dyshime për shpërdorim të subvencioneve sa më shpejt që është e mundur.
“Ministria e Bujqësisë ka një buxhet të madh për subvencione andaj edhe mundësitë për keqpërdorime janë të mëdha. Ky rast nuk duhet në asnjë mënyrë të mbetet i pahetuar dhe të kalojë pa masa politike, institucionale dhe ligjore ndaj shpërdoruesve”, thuhet në reagimin e tyre.
Kjo kërkesë e KMDLNJ-së vjen pas publikimeve të fundit që janë bërë për ndarjen e granteve ndaj familjarëve të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.