Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve, ngadalësimi i rritjes ekonomike në vend, janë disa nga problemet që po ballafaqohet Kosova 25 vjet pas çlirimit. Profesori universitar, Muhamet Sadiku derisa kërkon nga qeveria më shumë reforma në çështjet që ndikojnë në ekonominë, thotë se Kosova vazhdon për vite të tëra të përballet me probleme të njëjta.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori Sadiku thotë se derisa të gjitha vendet kanë bërë indeksimin e shpenzimeve sociale, e të pensioneve, Qeveria e Kosovës nuk ka lëvizur në këtë aspekt, për çfarë thotë se kjo ka ndikuar që të mos zhvillohet ekonomia e vendit.
Sipas Sadikut, në vend mungon ndjesia për zhvillim social, i cili thotë, se Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta edhe në shëndetësi, arsim dhe në sektorë të tjerë.
“Në përgjegjësi statistikat, vlerësimet e eksperteve, tregojnë se Kosova gjendet në një situatë tejet të vështirë, sepse së pari përballet me disa probleme bazike afat gjate, të cilat nuk janë zgjidhur për këto mbi 20 vjet. Kosova gjithnjë përballet me probleme të reja, të cilat i sjell zhvillimi, sidomos kjo ka ardhur në shprehje gjatë paraqitjes së krizës së madhe para tri viteve kur Kosova edhe pse është në Eurozonë është ballafaquar me inflacion të lartë dhe ky inflacion ka paraqit goditje të madhe për popullatën, sidomos për atë të varfër, popullatën që jetojnë në asistencë teknike dhe për pensionistët. Derisa në gjitha vendet rreth Kosovës gjatë kësaj periudhe është bërë indeksimi i shpenzimeve sociale, i pensioneve, i të dhënave tjera, Kosova ka qëndruar në një vend, dhe kjo tregon se në vend mungon ndjesia për zhvillim social dhe sa herë që thërrasim që Kosova ka zhvillim ekonomik, kjo rritje nuk shndërrohet në zhvillim ekonomik, pasi Kosova vazhdon të ketë problemet e njëjta në shëndetësi, arsim, e me radhë”, thekson Sadiku.
Derisa flet për ngecjet ekonomike, Sadiku rendit problemet që po ballafaqohet vendi në aspektin ekonomik, dhe shton se sfidë mbetet edhe bilanci tregtar negativ. Në këtë drejtim vlerëson se Kosova duhet të fuqizojë sektorin eksportues.
“Është e papranueshme që Kosova pas 24 vjetëve pas çlirimit, profesorët universitar dalin me 100 euro pension dhe si mund të flitet për një qeverisje moderne të Kosovës. Kjo nuk duhet të lë askënd të qetë. Ndër problemet e mëdha është bilanci tregtar negativ. Vazhdimisht në këto 20 vjet e kemi rritjen e importit disa herë më të madhe se eksporti. Niveli i mbulimit të importit me eksport është rreth 12 për qind, që tregon se Kosova mesatarisht bilancin tregtar e ka 2 miliard e gjysmë në vit, dhe për 10 vjet kjo tregon se Kosova ka lejuar t’i dalin nga ekonomia, qarkullimi rreth 25 miliardë euro. Rritja po mbahet me konsum, import, mjete qe vinë nga diaspora kryesisht shkojnë në konsum, një pjesë tjetër në investime. Vendi duhet të mendojë që të fuqizojë sektorin eksportues dhe së paku t’i përafrohet importit, sepse me këtë do t’i jepet kontribut i madh rritjes ekonomike. Në favor të kësaj Kosova e ka bruto produktin më të ulët në Evropë, 4 mijë euro për kokë banori, kjo është e pa mjaftuar. Për të qenë anëtar i BE-së, duhet bërë shumë, për t’u përafruar Kosova duhet të bëjë shumë, në kuptimin edhe politikave ekonomike, sepse mesatarja e BE-së është rreth 26 mijë euro për kokë banori, ndërsa Kosova 4 mijë për kokë banori, sa vite duhet të kalojnë që vendi t’i afrohet BE-së”, thotë Sadiku.
Ai mes tjerash, nënvizon se Kosova vazhdon të përballet me problemin e varfërisë, për çfarë thotë se shteti duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike.
“Kosova duhet të përmirësojë qeverisjen me rritje ekonomike dhe qeverisjen me zhvillim. Duhet të përjetojë tranzicionin e duhur, dhe të fuqizojë shtetin e vet ligjor, që do të reflektohet në jetën politike, ekonomike e sociale…Kosova vazhdon të përballet me problemin e varfërisë. Të gjitha analizat tregojnë se në terma absolute numri i madh i njerëzve jetojnë në varfëri, dhe kjo tregon se një pjesë e popullatës në vend përballet me mbrojtje shëndetësore, një pjesë e tyre nuk kanë para që të sigurojnë barnat e tyre bazike, disa nuk kanë mjete për t’i shkolluar fëmijët e tyre. E tëra kjo e bënësituatën sociale në Kosovë dramatike. Kosova duhet të gjejë rrugën që e çon deri tek përmirësimi i jetës së qytetarëve, kjo duhet të lirojë tregun nga ngufatjet e herë pas hershme, tenderët një burimor”,nënvizon Sadiku.
Në anën tjetër, ai thotë se shqetësuese mbetet edhe rënia e investimeve të huaja.
“Ne kemi shpresuar sidomos pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të rrisë fluksin e investimeve të huaja, por për fat të keq, jemi dëshmitar se këto investime nuk e kalojnë 400 milionë euro në vit. Ky fluks është tejet i vogël për t’i adresuar të gjitha problemet, ky fluks është i vogël edhe në aspektin cilësor, sepse investimet e mëdha po vinë në sektorin e patundshmërive, Kosova ka nevojë të fuqizojë sektorin e prodhimit…Kosova gjithnjë ka nevojë që të përmirësojë mjedisin e vet binzesor, ka nevojë të bëhet destinacion edhe për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, ka nevojë që t’i eliminojë të gjitha pengesat që mund të paraqiten në punën e përditshme të bizneseve. Ka nevojë që qeveria të ketë raporte miqësore me bizneset, të kemi parasysh taksa paguesit më të mëdhenj në Kosovë, të bëjë respektin ndaj eksportuesve”,përfundon Sadiku.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. Sipas FMN-së, kjo normë e rritjes në vitin 2023 ishte 3.3 për qind.