Posta e Kosovës ka lansuar sot një pullë postare në nder të regjisorit dhe pedagogut të njohur, Bekim Lumi, në shenjë respekti për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në vend.
Bekim Lumi (1966–2018) konsiderohet si një nga emrat më me ndikim të teatrit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë. I njohur për regjitë e tij avangarde dhe qasjen e tij të guximshme ndaj skenës, ai la gjurmë të thella si krijues artistik dhe mësimdhënës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Lumi ishte themelues i revistës teatrore “Loja”, e cila botohej në periudhën 2006–2010, dhe veprat e tij janë prezantuar në dhjetëra festivale ndërkombëtare në vende si Zvicra, Franca, Gjermania, Italia, Greqia, Bullgaria dhe Bosnjë e Hercegovina. Ndër çmimet më të rëndësishme që mori ishte ai për “Shfaqjen më të mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano, Zvicër, më 2006, për regjinë e dramës “Mësimi”.
Në vitin 2016, Ministria e Kulturës e nderoi me çmimin “Regjisor i vitit”, ndërsa në vitin 2019, pas vdekjes, shfaqja e tij “Arturo Ui” u vlerësua si “Shfaqja më e mirë e vitit”, ndërkohë që ai mori edhe çmimin për “Regjinë më të mirë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2023 i ndau post mortum Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e tij në fushën e teatrit.
Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia botoi disa nga veprat e tij më të rëndësishme, përfshirë librin studimor “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” (2019), përmbledhjen poetike “Engjëlli blu” (2021), si dhe “Loja e Bekim Lumit”, një përzgjedhje e kritikave dhe analizave rreth punës së tij.
Lëshimi i pullës postare është një tjetër hap në ruajtjen e kujtimit të figurës së tij dhe nderimin e trashëgimisë që ai ka lënë në jetën kulturore dhe arsimore të Kosovës.
Në një deklaratë për media, Posta e Kosovës theksoi se “kjo pullë postare është simbol i përjetësimit të një figure që ndikoi thellësisht në zhvillimin e teatrit modern në vend”.