Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin përmes një video-mesazhi i ka përshëndetur të pranishmit në mbrëmjen gala “Laureatët 2023”, duke vlerësuar arritjet e futbollit të Kosovës.
Çeferin, mes tjerash ka përmendur përshtypjen që ka lënë Ballkani në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
“Të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, mysafirë të nderuar, i dashur President Ademi. Ndërsa ju festoni një vit tjetër të rëndësishëm për futbollin në Kosovë dhe ata që lanë gjurmë në lojën tonë të dashur, dëshiroj t’ju përshëndes me këtë mesazh të shkurtër. Ju duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja”, ka thënë Çeferin.
“Pavarësisht se nuk u kualifikuat në Euro 2024, Kombëtarja juaj e meshkujve ka treguar karakter dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në këtë cikël kualifikues, që premton një të ardhme të ndritshme për futbollin. Kampioni juaj, Ballkani, la përshtypje të madhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës së UEFA-s, duke shfaqur forcën dhe potencialin e futbollit të klubeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
“Dua gjithashtu të nënvizoj bashkëpunimin e shkëlqyer me UEFA-n në projekte të ndryshme, duke përfshirë strategjinë e zhvillimit të futbollit për femra, e cila pritet të nisë vitin e ardhshëm. Derisa festat po afrojnë, ju uroj të gjithëve gëzim, paqe dhe një kohë të mrekullueshme me njerëzit tuaj më të dashur. Le të jetë 2024-ta e mbushur me dashuri dhe futboll të shkëlqyeshëm. Dhe tani, shijoni shfaqjen…” ka thënë Çeferin në video-mesazhin e tij.