Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin bregdetar të Durrësit, ku mësohet se një person ka mbetur i vdekur pas një goditje me thikë në zemër.
Viktima është Idajet Dulla, 34 vjeç dhe baba i dy fëmijëve. Ai është nga Kukësi, por banonte në Durrës dhe punonte në një karburant.
Dulla është gjetur i vdekur tek shinat e trenit. Nuk dihet se cili ka qenë shkaku real i vrasjes së tij, por mendohet se ka pasur një sherr banal mes tij dhe një shoferi fugoni, tekas policia njofton se e ka identifikuar autorin.
E ëma dhe nusja e kanë çuar në spital, por fatkeqësisht ishte tepër vonë, pasi ai nuk mund të mbijetonte.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 19.09.2020, rreth orës 15:55, në Urgjencën e Spitalit Durrës ka mbërritur i dëmtuar me mjet prerës (thikë,), shtetasi I.D., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili si pasojë i plagëve të marra, ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme ju bëjmë me dije se Policia e Durrësit ka identifikuar autorin shtetasin A.K., dhe është vënë në ndjekje të tij.
***
Ndërkohë edhe mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit ndodhi një ngjarje e rëndë ku një person mbeti i vdekur dhe 2 të tjerë u plagosën pas një sherri për arsye banale.
I vdekur mbeti Armando Baboçi, 39 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën djali i tij Erald Gjini 19 vjeç dhe një person tjetër.