Raportohet se tre amerikanë të liruar nga burgjet ruse në bazë të një marrëveshjeje shkëmbimi historik kanë mbërritur në SHBA.
Evan Gershkovich, Alsu Kurmasheva dhe Paul Whelan ishin pjesë e një marrëveshjeje që liroi 24 persona në shkëmbimin më të madh të të burgosurve midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.
Ata u mirëpritën në bazën e përbashkët Andrews, në Maryland, nga presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris.
Fotot e publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin emocional kur të burgosurit amerikanë u ribashkuan me familjet e tyre.
Gazetari i Wall Street Journal Gershkovich shihej duke përqafuar nënën e tij Ella Milman dhe Kurmasheva pati një ribashkim emocional me burrin e saj Pavel Butorin dhe vajzat Miriam Butorin dhe Bibi Butorin.
Bëhet e ditur se ata shkrepën foto me anëtarët e familjes dhe miqtë, si dhe u përqafuan me Bidenin dhe Harrisin.
Harris tha se ishte “një ditë e jashtëzakonshme” dhe e vlerësoi rolin e Bidenit në shkëmbimin e të burgosurve, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, në një goditje ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump, Harris tha: “Ky është një testament për të pasur një president që kupton fuqinë e diplomacisë”.
I pyetur për shqetësimet se marrëveshja mund të nxisë ndalimin e amerikanëve në Rusi, Biden tha: “Unë nuk e blej këtë ide që ju i lini këta njerëz të kalben në burg sepse njerëz të tjerë mund të kapen”.
Bëhet e ditur se shkëmbimi u negociua me Rusinë dhe disa vende të tjera në fshehtësi për më shumë se një vit.
Kthimi i Gershkovich, Kurmashevas dhe Whelan vjen pasi 13 të arrestuarit e tjerë perëndimorë u dërguan në Gjermani mbrëmë.
Midis tyre ishte Vladimir Kara-Murza i cili u burgos për 25 vjet pasi u dënua për kritikimin e pushtimit të vendit në Ukrainë.
Tetë të burgosur rusë u liruan nga burgjet në SHBA, Gjermani, Norvegji, Slloveni dhe Poloni sipas marrëveshjes.
“Sot është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kesh miq në këtë botë”, tha Biden.
Gershkovich u arrestua dhe u ndalua fillimisht në mars të vitit 2023 pasi Rusia pretendoi se ai kishte “mbledhur informacion sekret” me urdhër të CIA-s.
Gershkovich tha se akuzat kundër tij ishin të rreme dhe punëdhënësi i tij e quajti rastin një mashtrim.
Ai u dënua me 16 vjet burg më parë këtë muaj nën akuzat për spiunazh në një gjyq që shihet gjerësisht si i motivuar politikisht.
Familja e Gershkovich tha në një deklaratë të lëshuar nga The Wall Street Journal se “mezi presin t’i japin atij përqafimin më të madh dhe të shohin nga afër buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe të guximshme”.
Kurmasheva ka nënshtetësi ruse dhe amerikane dhe është gazetare për Radio Evropa e Lirë, një organizatë mediatike e financuar nga SHBA-ja.
Ajo u arrestua në qershor të vitit 2023 dhe më vonë u akuzua për përhapje të informacionit të rremë në lidhje me ushtrinë ruse, të cilën ajo e mohoi.
Muajin e kaluar, ajo u dënua me më shumë se gjashtë vjet burg.
Ish-marinari amerikan Whelan ishte në paraburgim në Rusi që kur u arrestua në një dhomë hoteli në Moskë më 28 dhjetor të vitit 2018.
Ai u dënua me 16 vjet burg të sigurisë së lartë nën akuzat për spiunazh.
E në këmbim të lirimit të personave si Gershkovich, Kurmasheva dhe Whelan, shtetasit rusë u liruan në anën tjetër.
Kjo përfshinte Vadim Krasikov, i cili u dënua në Gjermani në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për vrasjen e një ish-rebeli çeçen në një park të Berlinit.