Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka fajësuar deputetët e ish-opozitës se nuk po duan që të konstituohet Kuvendi.
Kurti ka thënë se deputetët e mazhorancës po e duan më shumë Kuvendin, e ata e kanë qeverinë. Ndërkaq deputetët e opozitës, të cilët nuk kanë qeveri, e kanë veçse Kuvendin dhe nuk po e duan Kuvendin.
“Në këtë frymë, më lejoni që deputetët opozitarë, të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka deklaruar Kurti.
34 herë dështim, Kosova pa Kuvend funksional
Kuri u shpreh se sa më herët që ta kuptojnë që kundërshtimin ndaj meje do të mund ta thonë kur vjen puna te votimi i qeverisë, aq më mirë do të jetë.
“Në ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës, njëmend i ka kompetencat e kufizuara, por nuk kemi më pak punë. Ne nuk kemi më pak punë – ne kemi më pak kompetenca. Dhe ndërmjet Kurtit 2 dhe Kurtit 3, e kemi këtë qeveri në detyrë, që është qeveri në tranzicion – le ta quajmë Kurti 2.5.”, tha Kurti.
Ai këto komente i bëri në Podujevë gjatë vënies së gurthemelit për pishinën gjysmë-olimpike, disa orë para seancës konstitutive të Kuvendit e cila dështoi sërish. /Telegrafi/