Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar tërheqjen e kërkesës së presidentes Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese për shkak të gjyqtarit Radomir Laban, teksa ka dhënë edhe detaje nga takimi me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai pas vizitës në Klinikën Kardiologjike në Prishtinë, ka folur lidhur me gjyqtarin Laban, i cili është caktuar nga Kushtetuesja si kryesues i çështjes mbi daljen nga ngërçi politik në vend.
“Presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni, se ai do të jetë kryesues i çështjes që do të trajtohej nga Gjykata Kushtetuesja. Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Radomir Laban, atëherë kur ai pati aplikuar që të bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetja jonë në emër të grupit parlamentar asokohe ishim në pozitë, Albulena Haxhiu asokohe i pati shkruar letër Zyrës së presidentit, por as presidenti i atëhershëm në vitin 2018 e as kryetarja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2018 nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalin një proces të tillë, sepse është absurde është që dikush që është i papërshtatshëm, me rrezik për rendin tonë kushtetues, që të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, ka thënë Kurti.