Autostrada Prishtinë–Gjilan ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Megjithatë, Albin Kurti foli sërish për këtë projekt, duke dhënë një premtim të ri se autostrada do të përfundojë, në mandatin e tij të dytë të synuar.
Këtë premtim Kurti e foli gjatë mbledhjes ku Lëvizja Vetëvendosje e mandatoi atë për postin e kryeministrit.
“Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë dhe autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Po ashtu do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. E do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan – Plavë dhe Pejë – Rozhajë”, është shprehur Kurti ndër të tjera.
Autostrada Gjilan-Prishtinë ka mbetur e papërfunduar për vite me radhë. Por, përveç premtimit për përfundimin e saj, Kurti foli edhe për përmirësime në fusha të ndryshme, si ajo e sistemit shëndetësor, investime në arsim, thellimin e reformave etj.