Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Times”, ka thënë se Rusia po e përdor Serbinë për të përhapur dezinformata kundër aleatëve të Ukrainës dhe lajme të rreme kundër tij.
“Në Ballkan kemi një Rusi të vogël, që është Serbia. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia menjëherë u rreshtua në anën e tyre. Të nesërmen në mëngjes, mediat serbe po pretendonin se Ukraina kishte sulmuar Rusinë. Ata po tregojnë mbështetje me flamujt rusë dhe shenjën Z, të cilat janë shfaqur edhe në veri të Kosovës”, tha Kurti.
Tutje, Kurti ka theksuar se “sasia e lajmeve të rreme nga veriu i Kosovës është i paprecedentë”.
“Kundër meje në veçanti, por edhe kundër Nenad Rashiçit, ministër për Komunitete dhe Kthim, i cili është serb. Objektivi i tyre kryesor janë serbët që integrohen në Kosovë”, ka potencuar ai.
“Rusia po punon me Serbinë në kampanja dezinformimi dhe në sulme kibernetike kundër vendeve të Ballkanit që po e mbështetin Ukrainën”, ka potencuar kryeministri kosovar.
Gazeta britanike ka përmendur ndihmën ushtarake që Kosova ka ofruar për Ukrainën dhe ndalimin e shtetasve rusë në Kosovë.
“Albin Kurti, udhëheqësi pro-perëndimor i vendit të vogël, i cili u nda nga Serbia pas luftës së viteve 1998-99, tha se Kremlini po përdorte lidhjet e tij me Beogradin, një aleat i vendosur, për të ndezur tensionet ekzistuese në ish-Jugosllavi. Kosova ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë predha mortajash dhe automjete të blinduara, dhe është pjesë e një koalicioni shumëkombësh të çminimit në vend. Ajo gjithashtu ka miratuar një rezolutë për të strehuar deri në 5000 refugjatë ukrainas dhe ka ndaluar shtetasit rusë të hyjnë në Kosovë. Një flamur i madh ukrainas është ekspozuar në qendër të kryeqytetit të Prishtinës.”