Kuvendi i Kosovës edhe sot në përpjekjen e 35-të ka dështuar të konstituojë legjislaturën e nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në vazhdimin e seancës së sotme në sallë ishin 94 deputetë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish hodhi në votim formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por për të cilin s’pati kuorum.
Nga 94 deputetë, 51 votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo është hera e 27-të që Komisioni dështon të formohet. Përmes tij partia e parë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, synoi të zëvendësojë hedhjen në votim të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, meqë për disa seanca radhas s’arriti t’i merrte votat e nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk propozuan nga një anëtar për formimin e këtij komisioni.
Para nisjes së seancës, një grup qytetarësh u mblodhën para Kuvendit, duke protestuar kundër krizës politike që ka lënë vendin pa institucione të formuara.